THOTI press

THOTI thotë të vërtetën

Leoni XIV: paqja kërkesë urgjente, duhet të shprehet në vendime me përgjegjësi

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV përsëriti me forcë thirrjen që të heshtin armët e të ndalen bombardimet. “Të arrihet pa vonesë armëpushimi e të forcohet dialogu”- bëri thirrje Leoni XIV katër vjet pas fillimit të “luftës kundër Ukrainës”. Paqja nuk mund të shtyhet, theksoi: “Çdo luftë është plagë e shkaktuar mbi të gjithë familjen njerëzore, që lë pas vdekje, shkatërrim dhe gjurmë dhimbjeje ndërmjet breznive”.

R.SH. / Vatikan

“Sa viktima, sa jetë e familje të rrënuara! Sa shkatërrim! Sa vuajtje të patregueshme…” Katër vjet pas fillimit të luftës kundër Ukrainës, zemra e Papës “shkon ende në situatën dramatike që – deklaroi Leoni pas lutjes së Engjëllit  të Zotit, nga dritarja e Pallatit Apostolik mbi Sheshin e Shën Pjetrit – është aty, para syve të të gjithëve”.

Çdo luftë është plagë e shkaktuar mbi të gjithë familjen njerëzore, lë pas vdekje, shkatërrim dhe gjurmë dhimbjeje, gjurmë brezash. Paqja nuk mund të shtyhet; është nevojë urgjente, e cila duhet të gjejë vend në zemra dhe të shprehet në vendime me përgjegjësi.

Të bashkuar në lutje për popullin martir ukrainas

Papa “e përsëriti edhe sot me forcë” thirrjen: “Të heshtin armët! Të ndalen bombardimet! Të arrihet pa vonesë armëpushimi dhe të forcohet dialogu për të hapur rrugën drejt paqes”.

I ftoj të gjithë të bashkohen në lutje për popullin e martirizuar ukrainas dhe për të gjithë ata që vuajnë për shkak të kësaj lufte e të çdo konflikti në botë, në mënyrë që dhurata e shumëpritur e paqes të rishkëlqejë mbi ditët tona.

Thirrje të përsëritura për paqe

Thirrja e sotme, në përvjetorin e katërt të fillimit të pushtimit rus në shkallë të gjerë të Ukrainës, ka shije të hidhur, megjithatë e mban gjallë shpresën. Ishte e tillë që kur filluan të lartoheshin nga zemra lutjet e Papës Françesku për paqe në zemër të Evropës, shoqëruar me dashurinë e tij të veçantë për “popullin martir ukrainas”. Kjo shprehje u bë e njohur për shumë njerëz.

E këto lutje u përsëritën nga Leoni XIV edhe një ditë pas zgjedhjes së tij, kur e quajti këtë luftë “të pakuptimtë”, duke pohuar urgjencën e arritjes së “një paqeje të vërtetë, të drejtë dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur”. Lirimi i të gjithë të burgosurve dhe kthimi i fëmijëve në familjet e tyre u shoqërua vazhdimisht me lutjen e Papës. Tani, i ftohti i fortë i dimrit, i cili vijon të shkaktojë dëme nga bombardimet, është veçanërisht shqetësues për të. Prej këndej thirrja:

“Uroj që të pushojë zhurma e armëve dhe palët e përfshira, të mbështetura nga angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, të kenë guximin për t’u angazhuar në një dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë, respektues”, deklaroi në fjalimin e tij të Krishtlindjeve, Urbi et Orbi.

Me zemër pranë viktimave të luftës

Për më tepër, duke vazhduar përpjekjet e solidaritetit me popullsinë ukrainase nisur nga paraardhësi i tij, Leoni vijoi të dërgojë ndihma për vendin përmes Lëmoshtarisë. Ndërkohë, foli në telefon me Presidentin rus Putin, priti shoqata të angazhuara për t’u ofruar ndihmë viktimave të luftës, nënave dhe grave e ushtarëve ukrainas në front, fëmijëve dhe të rinjve, e u takua me shtegtarë ukrainas, të cilëve ua vlerësoi tokën e tyre “të fekonduar nga dëshmia e kaq shumë shenjtorëve” dhe “të vaditur me gjakun e shumë martirëve”.

Gjatë një audience, dhjetorin e kaluar, me Presidentin ukrainas Zelensky, Papari pohoi gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për pritjen e bisedimeve. Madje mendoi për një udhëtim në Kiev, ndërsa pranoi nevojën për realizëm të kujdesshëm. Përballë shkallëzimit të një konflikti gjithnjë e më hibrid, me dëme të konsiderueshme për civilët dhe infrastrukturën, pas kthimit nga udhëtimi i tij i parë ndërkombëtar, theksoi rëndësinë e përfshirjes evropiane dhe italiane. “Angazhim serioz për dialog”, bëri thirrje në fund të gushtit, ndërsa, në përvjetorin e festës kombëtare të Ukrainës, u shprehu ngushëllimet e tij, “me zemër të plagosur nga dhuna”, familjeve të të rënëve dhe të zhvendosurve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *