Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje për përmbajtje nga “çdo lloj veprimi apo deklarimi që dëmton reputacionin e bizneseve vendore”, duke iu referuar Spitalit Amerikan dhe Grupit Dukagjini.
“Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje të gjithë personave të caktuar që të përmbahen nga çdo lloj veprimi apo deklarimi që dëmton reputacionin e bizneseve vendore, të cilat kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të Kosovës”, thuhet në krye të reagimit të OEK.
Oda Ekonomike e Kosovës kujton se “Kushtetuta e Kosovës garanton prezumimin e pafajësisë për të gjithë, dhe është përgjegjësi ekskluzive e organeve kompetente të gjyqësisë që të trajtojnë dhe të vendosin mbi çdo çështje ligjore”.
“Çdo ndërhyrje apo gjykim publik nga individë të caktuar, për arsye personale apo interesa të tjera, është e papranueshme dhe dëmton imazhin e këtyre bizneseve”, thuhet në reagim.
“Bizneset vendore kanë luajtur një rol kyç në sjelljen e investimeve ndërkombëtare dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë. Akuzat dhe njollosjet e pabaza nuk shërbejnë si mesazh pozitiv për investitorët potencialë, por përkundrazi mund të shkaktojnë largimin e investimeve nga vendi ynë”, thuhet tutje në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës.
OEK thekson se në gjithë botën, bizneset herë pas here përballen me sistemin e drejtësisë për çështje të ndryshme, por “në çdo rast u njihet e drejta e prezumimit të pafajësisë dhe mundësia për të dëshmuar të drejtën e tyre në gjykatë”, dhe se “e njëjta duhet të respektohet edhe në Kosovë”.